‘O babi po kush do të na mbrojë ne…’/Aksidenti i mori jetën, i jepet Iamtumira sot shefit të kr*meve, baba i 3 fëmijëve
Ermal Lulaj, Shefi i Krimeve të Vlorës, do të përcillet këtë të martë për në banesën e fundit. Ai humbi jetën mbrëmjen e djeshme, në një aksident tragjik që ndodhi në autostradë, pranë Novoselës.
Sipas njoftimit të familjarëve, homazhet në nderim të 41-vjeçarit do të zhvillohen në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nga ora 11:00 deri në orën 12:00. Më pas, do të niset drejt Varrezave të Fierit, ku do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit.
Polici me origjinë nga Fieri kishte një karrierë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit, ku prej vitesh shërbente në struktura të ndryshme, kryesisht në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Gjatë karrierës së tij, ai kishte mbajtur disa detyra drejtuese dhe funksione si oficer i lartë policie, duke shërbyer në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Korçën, Shkodrën dhe Beratin. Gjithashtu, kishte ushtruar detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë në Skrapar.
Përtej angazhimit të tij profesional, Ermali ishte edhe një familjar i përkushtuar, ai ishte baba i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali vetëm 2 vjeç. Ndarja e parakohshme nga jeta e 41-vjeçarit ka lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe kolegët, si dhe te të gjithë ata që patën mundësinë ta njihnin dhe të punonin me të.

Burimi: Newsbomb.al
