Aksidenti në Thumanë-Fushë Krujë, vikt*më këngëtari i këngëve popullore mirditore
Paulin Filopati, 65 vjeç mbeti viktimë e aksidentit automobilistik që ndodhi në aksin rrugor Thumanë-Fushë Krujë sot më 14 nëntor.
Viktima rezulton një prej emrave të njohur të muzikës tradicionale të zonës së Mirditës.
Filopati ishte një nga artistët e Grupit të Burrave të Ansamblit Mirdita, si dhe pjesë e Grupit Kthella.
Ai ishte njëri prej tre vëllezërve Filopati, së bashku me Gjovalinin dhe Pashkun, të cilët janë bërë të njohur për kontributin e tyre në trashëgiminë muzikore dhe folklorike të zonës.
Largimi i tij nga jeta ka prekur familjarët, miqtë dhe gjithë komunitetin artistik. Përmes veprimtarisë së tij ndër vite, Filopati dha një kontribut të çmuar në mbajtjen gjallë dhe përcjelljen e traditave e këngëve popullore mirditore.
Aksidenti ndodhi gjatë ditës së sotme rreth orës 14:00. Autori i ngjarjes së rëndë është një 19-vjeçar me inicialet F.B, që u shoqërua në komisariat.
“Rreth orës 14:10, në aksin rrugor “Fushë-Krujë–Thumanë”, automjeti me drejtues shtetasin F. B., rreth 19 vjeç, ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin P. F., rreth 65 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njoftonte policia.
/tvklan.al
